Rubrikë kushtuar konferencës së prof. dr. Kolë Ashtës


Në kuadrin e veprimtarive kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, Fakulteti i Shkencave Shoqërore dhe Instituti i Studimeve Albanologjike të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, me mbështetjen e Konsullatës Austriake të Nderit në Shkodërmë 29 qershor 2018 zhvilloi punimet konferenca shkencore “Prof. dr. Kolë Ashta dhe studimet albanologjike ndër vite”. Kjo konferencë u organizua në kuadrin e 100-vjetorit të lindjes së profesorit të nderuar dhe në përfundim të projektit për botimin e monografisë “Leksiku historik i gjuhës shqipe” në shtatë vëllime prej 7000 faqesh në dorëshkrim dhe 3000 faqesh në shtyp. Në këtë veprimtari morën pjesë studiues nga Shkodra, Tirana, Prishtina. Ajo i zhvilloi punimet në tri seanca dhe u ndoq gjithashtu nga studiues, pedagogë dhe familjarë të prof.dr. Kolë Ashtës. Konferenca pati interes në rrethet akademike dhe u pasqyrua dhe në shtypin periodik.

Veprimtarinë e përshëndeti rektori i Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Adem Bekteshi, i cili përgëzoi punën e përkushtuar të Institutit të Studimeve Albanologjike që gjen rezultatet në botimin e veprës së plotë të Kolë Ashtës dhe në organizimin e kësaj konference. Përshëndeti dhe falënderoi përmes fjalës së saj edhe kryetarja e Bashkisë Shkodër zj. Voltana Ademi. Ajo përgëzoi Institutin e Studimeve Albanologjike për evidentimin e vlerave të figurave që kalojnë kufijtë e Shkodrës dhe Shqipërisë. Kjo veprimtari u mbështet nga Konsullata Austriake e Nderit në Shkodër dhe Konsulli i saj z. Gjergj Leqejza, i cili në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh entuziast për këtë bashkëpunim në dobi të albanologjisë. Në fund në emër të familjarëve përshëndeti zj. Eli Gjergji.

Në bashkëpunim me Bibliotekën Shkencore të Universitetit ishte hapur edhe një ekspozitë me fakte nga jeta e prof. Kolë Ashtës, me kolanën e plotë të veprës “Leksiku historik i gjuhës shqipe”. Ishin ekspozuar gjithashtu punimet e prof. Ashtës të botuara në revista e gazeta të periudhave të ndryshme.

Punimet e konferencës u hapën përmes bashkëpunimit  të prof.dr. Artan Haxhi - prof.dr. Mimoza Priku, të cilët kumtuan temën“Kolë Ashta dhe personaliteti i tij në gjuhësinë shqiptare”, të cilët sollën fakte nga jeta dhe puna kërkimore e shkencore e prof. Kolë Ashtës. Prof. dr. Tomor Osmani mbajti kumtesën “Leksiku historik i gjuhës shqipe nga prof. Kolë Ashta – një kontribut me vlerë të veçantë për leksikografinë shqiptare (Rreth botimit të kësaj monografie)”dhe solli gjithë rrugëtimin e botimit të kolanës së plotë të veprës së prof. Kolë Ashtës dhe përshkroi 23 vitet e një pune të përkushtuar të të gjithë bashkëpunëtorëve, nga letrat e zverdhura deri në shtypin e plotë. Më pas u mbajtën kumtesat: prof.dr. Valter Memisha- “Dosja Kolë Ashta në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë”, prof. dr. Imri Badallaj- “Kuantiteti vokalik në vëllimet Leksiku historik i gjuhës shqipe të Kolë Ashtës (Meshari i Buzukut)”, dr.Nikë Ukgjini- “Interpretimi i Kolë Ashtës për Kuvendin e Arbrit, (1703) – koha dhe hapësira e tij”.

Më tej konferenca i zhvilloi punimet e ndarë në Seksione. Në Seksionin e parë kumtuan: prof. dr. Begzad Baliu–“Kërkimet gjuhësore të Kolë Ashtës dhe vendi i tij në albanologjinë e shekullit XX”,  prof. as. dr. Rrezarta Draçini- “Trajtime sintaksore të veprave të autorëve të vjetër nga Kolë Ashta”, prof. dr. Artur Lame –“Elemente socio-kulturore në disa burime leksikografike të Kolë Ashtës”,prof. dr. Idriz Metani–“Shtresa leksikore në fjalorin e Bardhit sipas studimit të prof. Kolë Ashtës”, prof. as. dr. Elvada Paci–“Kolë Ashta, gjurmuesi novator i teksteve të vjetra shqipe”, Erzen Koperaj–“Kolë Ashta mbi shqipen e shkruar me alphabet grek (vëllimi VII)”, dr. Elvis Bramo–“Vështrim mbi greqizmat në veprën e P.Budit”; dr. Anisa Kosteri–“Pasqyrimi i leksikut të Budit dhe Bardhit në monografinë e Kolë Ashtës” (vëllimi II, III), dr. Rezearta Murati–“Mes polisemisë dhe homonimisë në leksikun e autorëve të vjetër”.

Në Seksionin e dytë kumtuan: prof. dr. Xhilda Prendushi (Alimhilli)–“Arritje në fushën e aspektologjisë”, e cila propozoi në punimin e saj një këndvështrim të ri të teorisë së aspektologjisë në gjuhën shqipe. Më pas referuan: prof. as. dr. Anila Kananaj–“Ndryshime semantiko-sintaksore në foljet e shqipes”, prof. dr. Tefë Topalli&prof. dr. Artan Haxhi – “Disa veçori gjuhësore në krijimtarinë e poetit dhe përkthyesit Kolë Thaçi”, dr. Juliana Kume–“Elementi  grek në të folmen arbëreshe”, doc.Bora Logu–“R. Ritter von Xylander dhe vepra e tij, gjuha e albanezëve ose e shqiptarëve (1835)”, dr. Aida Uruçi–“Leksiku i autorëve të vjetër në krijimtarinë e M. Camajt (Leksiku i K.Ashtës)”, dr.  Zamira Shkreli –“Përvoja e shqiptarëve të Malit të Zi përmes një libri didaktik dygjuhësh (shqip- gjuhë malazeze)”.

Në Seksionin e tretë kumtuan: prof. dr. Alfred Çapaliku - “Ashta letrar (Përkthyesi, poeti, kritiku)”, dr.  Kurt Gostentschnigg–“Esenca e marrëdhënieve austro-hungaro-shqiptare”, prof. as. dr. Vjollca Osja–“Kontributi i K. Ashtës në studimin e letërsisë së gjysmës së parë të shek. XX”, dr. Gëzim Puka–“Kolë Ashta si kritik letrar”, dok.Sereta Koperaj–“Nga Budi te Bogdani, dëshmitarët e qëndresës antiosmane të shek. XVI”, dr. Lisandri Kola –“Mbi sprovat kritike letrare të Kolë Ashtës”, dr. Ermira Alija–“Shpirti shqiptar në studimet letrare të Kolë Ashtës, referuar revistës “Shkëndija” (1940-1943)”, dok. Isida Hoxha – “Diskursi mediatik në shtypin e shkruar të viteve 2009 – 2013”.

Në fund të kësaj konference prof. Bardhyl Demiraj (LMU Munih/RFGJ) mbajti një fjalë përmbyllëse për kontributin me vlerë të prof. Kolë Ashtës jo vetëm në leksikografi, por duke e parë edhe si medievist dhe filolog i mirëfilltë. Ai theksoi se trashëgimia e vyer e Kolë Ashtës ruan gjithherë statusin e sinorit orientues në njohjen dhe studimin e kulturës së shkrimit shqip përgjatë dhe në kapërcyell të Mesjetës.