Përditësim me Metodat e Kërkimit Cilësor & Sasior me fokus: dizenjimi i pyetësorit, kampionimi, shkallët e matjes, analiza e komponentëve kryesorë dhe analiza faktoriale.


Ky aktivitet u zhvillua në sallën 307 të Fakultetit Ekonomik në kuadrin e aktiviteteve për 25-vjetorin e Fakultetit Ekonomik dhe u organizua nga Qendra e Ekselencës në bashkëpunim me departamentin e Administrim-Biznesit të Fakultetit Ekonomik dhe departamentin e Punës sociale dhe Psikologjisë të Fakultetit të Shkencave të Edukimit, më datë 4 dhe 5 maj 2018. Vlen për t’u theksuar se ky workshop u mbështet financiarisht nga Fondacioni Albanian Besa Capital.

Në të morën pjesë stafet akademike dhe joakademike, studentët e Masterave Shkencorë (MSc) dhe përfaqësues nga institucionet, respektivisht:  Institutit të Statistikave Dega Shkodër si dhe nga Drejtoria Rajonale e Zyrës së Punësimit. Çështjet e ngritura ishin të përqendruara rreth problematikave të dizenjimit të pyetësorëve si një instrument për mbledhjen e të dhënave, shpërndarjen e tij dhe sfidat në procedurën e kampionimit, analiza faktoriale (CFA), analiza e komponentëve kryesorë (PCA), duke u bazuar në materiale teorike dhe të shoqëruara me raste studimore.

Takimi ka qenë i hapur jo vetëm për pedagogët me kohë të plotë në FE dhe FSHE, por edhe për studentët në ciklet e studimeve Master Shkencor (MSc) dhe përfaqësues nga institucionet publike dhe private. Pjesëmarrësit që ndoqën të gjitha seancat e workshop-it janë në proces të pajisjes me certifikatë, ndërsa për trajnuesit është përgatitur një certifikatë e veçantë ku theksohet roli i trajnuesit. Është krijuar një hapësirë e posaçme virtuale në ‘sharepoint’ ku pjesëmarrësit kanë mundësi jo vetëm të shkëmbejnë kontaktet dhe materialet, por gjithashtu edhe të japin feedback për aspekte të ndryshme të workshop-it. Materialet në powerpoint, sintaksat, databaset etj., u janë kaluar pjesëmarrësve në seanca në hapësirën e përbashkët virtuale. Për ta bërë më të këndshëm procesin e ndjekjes së këtij aktiviteti, janë ofruar pije të nxehta, si: kafe, çaj dhe koktej-le gjatë pushimeve të shkurtra dhe të gjata ndërmjet seancave.  

Ky takim përputhet me lëndët dhe aspektet e kërkimit shkencor që trajnohen me profilet e shkencave ekonomike dhe të edukimit.

Gjatë seancave të këtij aktiviteti, u shkëmbyen referenca për burime të ndryshme sekondare, mënyra citimesh, sintaksa dhe autorë të ndryshëm. Takimi u mbyll me një diskutim mbi mbarëvajtjen e workshopit dhe gjenerimin e ideve se çfarë mund të përmirësohet.  

Në vijim të workshop-it, kemi vendosur një traditë të gjatë bashkëpunimi, si në lidhje me procesin e mësimdhënies ashtu edhe me atë kërkimor ndërmjet dy fakulteteve. Disa nga sugjerimet e marra në fund të këtij aktiviteti janë:  zhvillimi i workshopeve të ngjashme në mënyrë sistematike në intervale më të shpeshta kohore, konkretisht një herë në 6 muaj, nënshkrimi i marrëveshjeve institucionale ndërmjet Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe institucioneve që mundësojnë akses në të dhëna.