DEKLARATË PËR SHTYP

Universiteti i Shkodrës  “Luigj Gurakuqi”, duke marrë shkas nga publikimi i një rasti që lidhet me disa gabime të bëra në numrat e matrikullimit të diplomave bachelor të lëshuara për disa studentë të  Fakultetit të Drejtësisë, që kanë filluar studimet në vitin akademik 2013-2014,  njofton se janë marrë masat e duhura,  që ky gabim të ndreqet  urgjentisht. 


Më konkretisht, kur janë konstatuar këto gabime, që përbëjnë një shqetësim legjitim për studentët tanë, Senati i USH-së në mbledhjen e tij të datës 18 korrik 2018, me vendim të posaçëm ka ngritur grupin e punës për verifikimin e rasteve, i cili ka në përbërjen e tij titullarët e Fakultetit të Drejtësisë. Ky grup pune do të të hartojë procesverbalet përkatëse për saktësimin e numrave NIM (Numrat e matrikullimit) të dërguara nga  QSHA (Qendra e Shërbimeve Arsimore). Hapi i dytë i punës së këtij komisioni do të jetë  njoftimi i studentëve të diplomuar përmes faqes zyrtare www.unishk.edu.al dhe postës elektronike personale të studentëve për dorëzimin e diplomave me NIM (Numra  matrikullimi) të pasaktë, asgjësimi i tyre dhe hartimi i   diplomave të reja me numrat NIM të saktë (ato të njohura nga QSHA). 


Studentët do të kontaktojnë për çdo rast në këtë adresë emaili: zrahova@unishk.edu.al


USH-ja ndan çdo shqetësim që artikulohet nga radhët e studentëve dhe i mbështet ata në denoncimin e çdo rasti shpërdorimi detyre të bërë në çfarëdo konteksti të mundshëm të jetës universitare. 


Ftojmë studentët që të jenë bashkëpunues kur ndeshen me problematika të ndryshme dhe t’i gjurmojnë ata, së pari brenda institucionit tonë, duke dëshmuar kështu pjekurinë e duhur dhe përgjegjësinë si intelektualë të së ardhmes.  Përdorimi i këtyre rasteve në kontekste politike e mediatike, si dhe denigrimi i stafit mësimdhënës dhe administrativ, nuk ka asnjë gjasë që të na pengojë në misionin akademik dhe edukativ që Universiteti i Shkodrës ushtron prej më shumë se 60 vjetësh.