Shtëpia

Takim i Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati me studentët e Universitetit të Shkodrës

Ditën e premte me datë 17 shkurt Ministri i Punëve të Jashtme z. Ditmir Bushati zhvilloi një leksion të hapur me studentët e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.  Z. Bushati u mikprit nga Prof.dr. Adem Bekteshi dhe më takimi vazhdoi në sallën e konferencave me studentët e Universitetit.

Takimi u hap nga Rektori, Prof.dr. Adem Bekteshi, i cili në fjalën e tij të hapjes i uroi mirëseardhjen z.Bushati për prezencën që i bashkangjitet shumë personaliteteve të fushave të ndryshme të artit, edukimit dhe shkencës. Prof.dr. Adem Bekteshi theskoi mes tjerash që USH është bërë qendër shkollimi që gjeneron dije ku procesi i akredimit do t’a ktheje Universitetin “Luigj Gurakuqi” një ndër Universitetet më të rëndësishme në Shqipëri.

Në fjalën e tij z. Ditmir Bushati shprehu mirënjohjen dhe ndjeshmërinë e veçantë për qytetin e Shkodrës, jo vetëm si vendlindja e tij  dhe e të parëve të tij por edhe si një prej qendrave  të Europës Adriatike, me identitet të spikatur aty ku kombi ka ditur të mbijetojë përtej agresionit, dhe ka ditur të ndriçohet përtej urisë e të argëtohet përtej vuajtjes.

Duke iu drejtuar studentëve dhe pedagogëve të pranishëm, z.Bushati foli për Shqipërinë si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, vend që ka siguruar një rekomandim për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Shqipëria ka qënw spirancë stabiliteti dhe aktor dinamik në rajon që vijon të kultivojë marrëdhënie miqësie e bashkëpunimi. Thënë ndryshe, ajo nuk ka qenë asnjë herë me e zhvilluar dhe integruar se sa sot!

Z. Bushati vijoi fjalën e tij dukë pasqyruar vlerat e kombit shqiptar që historikisht shqiptarët janë identifikuar me të drejtë si përçues të vlerave universale të tolerancës dhe vllazërisë ndërfetare. Por, fenomenet e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm kanë prekur edhe rajonin tonë. E nëse nuk jemi vigjilentë këto fenomene rrezikojnë të cënojnë edhe ato vlera që Shqipëria e shqiptarët i kanë ruajtur me fanatizëm për shekuj si harmoninë fetare, diversitetin, lirinë, respektin dhe bashkëjetesën në paqe.

Lidhur me partneritetin strategjik, z. Bushati theksoi se Shqipëria ka rritur mirëkuptimin politik dhe shtimin e kontakteve në të gjitha nivelet që kontribuojnë në forcimin e sigurisë rajonale dhe na ndihmojnë në procesin e integrimit europian.  Këtë ka në themel i gjithë ndërveprimi ynë në rajon, si në forcimin e partneritetit strategjik me Kosovën, zhvillimin e marrëdhënieve të ngushta të bashkëpunimit me Malin e Zi, Maqedoninë apo në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Eshtë kjo linjë politikë rajonale, solide dhe e pakthyeshme që ka marrë vlerësimin maksimal nga partnerët tanë: SHBA dhe BE. Këtë synojmë të arrijmë e konslidojmë edhe në kuadër të Procesit të Berlinit duke forcuar mobilitetin rajonal. Ne kemi hyrë në shekullin tonë të dytë si një komb i lirë, me Shqipërinë dhe Kosovën si vende të lira, demokratike e Evropiane, vende që prodhojnë siguri, ofrojnë miqësi e bashkëpunim për të gjithë popujt e rajonit, për ta bërë atë një hapësirë edhe më të paqtë e më të sigurt.

Takimi u mbyll me pyetje dhe diskutime nga studentët dhe pedagogët.