Buletine të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi"

 

Universiteti i Shkodrës prej vitesh është shquar jo vetëm si një qendër e rëndësishme e mësimdhënies, por edhe e kërkimit shkencor. Pedagogët e studiuesit e këtij Universiteti kanë dhënë ndihmesën e tyre të vyer në fusha të ndryshme, duke realizuar botime të shumta. Ata janë autorë e bashkautorë të mjaft teksteve universitare, të mjaft monografive e botimeve me karakter shkencor e divulgativ, janë autorë e bashkautorë të mjaft artikujve shkencorë të botuar në revista brenda e jashtë vendit në fusha të ndryshme, si: albanologji, gjuhësi, letërsi artistike e dokumentare, kulturë popullore, histori, filozofi, pedagogji, psikologji, sociologji, doktrina politiko-shoqërore, shkenca ekonomike, shkenca të natyrës etj. Në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” botohet një revistë shkencore e titulluar "Buletini shkencor". Kjo revistë filloi të botohej në vitin 1958, por doli vetëm një numër. Mbas përpjekjesh e kërkesash të vazhdueshme, me thellimin e punës kërkimore - shkencore, në vitin 1964 rifilloi botimi i kësaj reviste, e cila vazhdon të dalë edhe sot e ndarë në pesë seri:

 

  1. Seria e shkencave shoqërore,
  2. Seria e shkencave  të natyrës,
  3. Seria e shkencave të edukimit,
  4. Seria e shkencave ekonomike,
  5. Seria e shkencave juridike.

 

"Buletini shkencor" i Universitetit të Shkodrës, i njohur që herët si revistë shkencore (rivlerësuar si e tillë edhe me Urdhër të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, Nr. 98, datë 28. 03. 2000, mbështetur në Vendimin Nr. 4, datë 17. 03. 2000, të Komisionit të Rikonsiderimit të Periodikëve Shkencorë), është bërë tribunë e mendimit shkencor të kohës. Në faqet e kësaj reviste, kanë pasqyruar mendimet dhe idetë e tyre në fusha të ndryshme të dijes pedagogët e këtij universiteti. Aty gjendet edhe ndihmesa e shumë shkencëtarëve të njohur të vendit e të huaj që kanë ndikuar jo pak në ngritjen e nivelit shkencor dhe rritjen autoritetit të saj në Shqipëri dhe më gjerë.